U kap duke drejtuar kamionin me 300 kg kokainë, jepet masa e sigurisë për 40-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut

21/06/2021 12:43

Nazif Ajroski, 40 vjeç, nga Maqedonia e Veriut, shoferi i kamionit ku u kapën 324 kg kokainë në portin detar të Durrësit doli sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

Pas një shtyrje të seancës për mungesë të përkthyesit zyrtar, disa orë më pas gjyqtari Rexhep Bekteshi e vleftësoi të ligjshëm arrestimin në flagrancë të tij dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”.

Task Forca e përbashkët e përbërë nga policia kufitare e portit të Durrësit, policia kriminale e DVP Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, zbuluan dhe sekuestruan të premten  një sasi prej 324 kilogramë e 400 gramë kokainë të fshehura në një kamion me targa të Maqedonisë së Veriut, i cili kalonte transit në Durrës drejt Italisë.

Droga u gjet në kamionin që drejtohej nga Nazif Ajroski dhe kishte si destinacion pas mbërritjes me traget në Ankona, zonën e Xhenovas në Itali ku do të shkarkonte ngarkesën me hekur që transportonte.

Në automjet u gjet e fshehur pas kontrollit fizik, sasia e kokainës e ambalazhuar me logot e disa firmave të njohura, si “Dior”, “PSG” e “Chicago Bulls”. Shoferi i arrestuar është nën hetim, në arrest, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA