Spajnperi rebel belg anti-stabiliment, i njohur ndryshe si “Rambo i Belgjikës” është gjetur sot i vdekur gjatë kërkimeve të mijëra ushtarakëve që ishin mobilizuar për kapjen e tij.
46 vjeçari Jurgen Conings, i cili kishte kërcënuar se do të vriste mes të tjerëve ministrin e shëndetësisë dhe krye-virologun e Belgjikës, ishte armatosur deri në dhëmbë dhe ishte arratisur në zonën pyjore mes Belgjikës, Gjermanisë e Holandës.
Policia belge tha sot se trupi i tij është gjetur në pyjet pranë Dilsen-Stockhem.
Ata thanë se nga pamjet e para të trupit të Conings duket se ai ka vrarë veten, por do të ketë hetime të tjera.
Conings ishte zhdukur nga kazermat e tij muajin e kaluar pasi në një letër i shpallte luftë virologëve dhe elitës politike që komandonte reagimet ndaj pandemisë së Covid-19.
Kreu i reagimit kombëtar ndaj koronavirusit Marc van Ranst ishte një nga objektivat e tij kryesore.
Pas largimit të Conings mijëra ushtarë u dislokuan për gjetjen dhe konfrontimin e mundshëm me të, teksa në letrat e lëna ai kishte denoncuar abuzimet me masat kufizuese të pandemisë dhe thoshte se ishte i gatshëm të vdiste për të luftuar kundër tyre.
Snajperi me eksperiencë i ushtrisë së Belgjikës, Jurgen Conings, i cili ka luftuar në disa zona konflikti si Afganistan, Irak e Liban, është zhdukur prej të hënës, pasi kishte dërguar letra kërcënuese ndaj disa zyrtarëve të lartë në vend.
E dashura e Conings, Gwendy, ishte ajo që lajmëroi autoritetet për zhdukjen e tij pasi gjeti letrat kërcënuese që kishte lënë, ku thuhej: “Nuk mund të jetoj dot më në një shoqëri ku politikanët dhe virologët po na marrin gjithçka, prandaj po i bashkohem rezistencës dhe nuk do të dorëzohem”.
Ushtaraku i stërvitur kishte kërcënuar ministren e mbrojtjes së vendit Ludivine Dedonder, e cila tashmë ishte marrë nën mbrojtje, duke thënë: “Ju më stërvitët për t’u bërë ky që jam, dhe tani do ta përdor këtë kundër jush”.
Ministri i drejtësisë së vendit Vincent Van Quickenborne, tha: “Ai është përgatitur prej ditësh për këtë veprim, dhe duket se ka qenë pranë objektivit të tij kësaj jave, teksa ka qenë pranë shtëpisë së krye-virologut të vendit Van Ranst”.
Top Channel