Shpallet ankandi për parqet eolike, Rama: Jemi në fazën e një transformimi të rëndësishëm të sistemit elektro-energjetik

21/06/2021 13:34

Kryeministri i vendit, Edi Rama ishte i pranishëm në ceremoninë e shpalljes së ankandit për ndërtimin e parqeve eolike, ku Shqipëria do të jetë një alternativë më shumë për prodhimin e energjisë duke shfrytëzuar një tjetër burim, siç është era.

Kreu i qeverisë u shpreh se ky është një hap i rëndësishëm për ta kthyer Shqipërinë në eksportues neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportues të një energjie të gjelbër.

Rama u shpreh më tej se projekti për shfrytëzimin e hidrocentralit të Skavicës është një lajm i mirë, për të krijuar një rezervë në kohën kur nuk ka shi.

Rama: Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në rrugën drejt horizontit të Shqipërisë 2030 dhe përmbushjes së ambicies tonë për ta kthyer Shqipërinë në eksportues neto të energjisë elektrike dhe njëkohësisht eksportues të një energjie të gjelbër. Besoj që kujtimi i kohës kur Shqipëria ishte një zonë rreziku permanent përsa i takon stabilitetit energjetik është ende i freskët, ndërkohë që sot ne jo vetëm prodhojmë 100% energji të rinovueshme por kemi hyrë në fazën e një transformimi të rëndësishëm të sistemit elektro-energjetike, duke menduar dhe duke projektuar diversifikimin të burimeve të energjisë elektrike.

Varësia nga moti është një varësi të cilën e kemi bashkudhëtare në këtë rrugë, si rezultat i prodhimit të përqendruar plotësisht te shfrytëzimi i ujit, por edhe në këtë aspekt, projekti i hidrocentralit të Skavicës është një lajm i mirë, sepse na krijon mundësinë që ta ulim në mënyrë drastike këtë varësi nga moti, si rezultatet i shfrytëzimit të Skavicës për të krijuar rezervë për kohën kur nuk ka shi. Nga ana tjetër për të penguar përfundimisht fatalitetin e përmbytjeve të detyruara. Sot që flasim jemi në kantier me parkun photovoltaic të Karavastasë. Së shpejti do të jemi me atë të Spitallës.

Kemi nderin të kemi partneritetin e qeverisë zvicerane, na ka garantuar jo vetëm burime financiare por edhe burime dije të çmuara dhe realisht të nevojshme. Dua të theksoj se e gjithë kjo rrugë transformimi dhe qasje e dedikuar në 360 gradë, jo vetëm për të ndërtuar mirë por edhe për të ndërtuar në mënyrë të besueshme nga pikëpamja e procesit, si dhe sukseset të ankandeve të mëparshme, e kanë bërë Shqipërinë një destinacion interesi për emrat më të mëdhenj të tregut global të energjisë. Nëse përpara pak vitesh do të ishte e pamundur të imagjinohej që në Shqipëri të bëheshin ankande sot kjo është një rutinë e një procesi zhvillimi dhe transformimi. Besoj që ne i kemi vendosur bazat dhe vazhdojmë të ngjitemi drejt asaj maje ku shqiptarët meritojnë.

Top Channel