Sfida Finlandë, Danimarkë, Rusi/ Sot luajnë edhe Holandë-Maqedoni e Veriut dhe Austri-Ukrainë

21/06/2021 15:28

Një ndër sfidat më të forta të takimeve të fundit është ndeshja Rusi–Danimarkë, ku bardhekuqve iu nevojitet patjetër fitorja, për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm për në raundin tjetër.

Gjithçka ndryshoi shpejt dhe gjithë synimet e danezëve për të lënë gjurmë në këtë evropian pësuan një goditje të rëndë, që në ndeshjen hapëse me Finlandën, madje që në fundin e pjesës së parë, pas atij episodi dramatik që kushtëzoi në mënyrë të kuptueshme edhe ecurinë e mëtejshme të ekipit të drejtuar nga trajneri Kasper Hjulmand.

“Djajtë e Kuq” nuk e mundin përfaqësuesen skandinave prej më shumë se gjysmë shekulli dhe sado e pabesueshme mund të duket Finlanda nuk njeh humbje në shtatë përballjet e fundit ndërmjet këtyre dy vendeve.

Llogaritë janë të thjeshta, sepse nëse Finlanda humbet Danimarka kualifikohet automatikisht qoftë edhe me një fitore minimale duke zënë vendin e dytë në Grupin B. Me një skenar të tillë Danimarka, Finlanda dhe Rusia do të barazoheshin në kuotën e tre pikëve dhe si kriter do të merrej për bazë golaverazhi i përgjithshëm dhe sasia e golave të shënuar.
Dy ndeshjet Rusi–Danimarkë dhe Finlandë–Belgjikë do të zhvillohen njëkohësisht në orën 21:00, përkatësisht në Copenhagen dhe Saint Petersburg, ndërkaq më herët në orën 18:00 do të mbyllen gjithashtu edhe sfidat e Grupit C.

Në këtë grup Holanda e ka prerë prej ditësh biletën për në fazën e ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë dhe e ka të garantuar gjithashtu edhe vendin e parë, ndërsa Maqedonia e Veriut u bë ekipi i vetëm përfaqësues që u eliminua pas dy sfidave të para, nga të gjashtë grupet.

Në këtë mënyrë gjithçka pritet të zgjidhet nga dueli Ukrainë–Austri, ku nuk do të ishte aspak çudi që sfida të përfundonte në barazim. Në Grupin C këto dy ekipe kombëtare kanë nga 3 pikë, por është e qartë që ekipit të drejtuar nga trajneri Andriy Shevchenko i mjafton edhe barazimi, pasi verdheblutë kanë shënuar një gol më shumë, krahasuar me bardhekuqtë.

Top Channel