Mëngjesi i trishtë ka nisur për një zonjë në Vlorë që kujdesej për qentë e rrugës duke i shëruar dhe ushqyer pasi i gjeti të helmuar brenda strehës që i mban.
Entela Guberaj, me profesion mësuese prej më shumë se 10 vitesh nuk mbajti dot lotët kur gjeti të helmuar disa prej qenve që i mori nga rruga. Me lot në sy, tregoi se njoftoi menjëherë policinë kur qentë nuk iu afruan dhe zbuloi se 8 prej tyre ishin helmuar.
Entela kujdeset që kafshët t’i marrë nga rruga për t’i strehuar në një ambient të përshatshëm për ta, të cilin e ka marrë me qera dhe ndodhet në lagjen “10 korriku.” Me shpenzimet e saj, i shëron nëse kanë problem shëndetësor dhe i gjen familje në Itali. Ajo duket se sa e lidhur është me kafshët pasi qan dhe përkëdhel disa prej qenve të helmuar.
Entela Guberaj: Vij në mëngjes si gjithmonë për t’i ushqyer. Zakonisht kur hap derën, vijnë që t’i përkëdhel dhe shoh qetësi. Kur afrohem, i gjej të helmuar. Janë 8 qen. Ata janë të rrethuar, nuk lëvizin dot, janë brenda rrethimit. Nuk ka ndodhur më parë, është hera e parë por janë helmuar në pronën time. E kam marrë me qira apostafat për të mbajtur qentë e mi. Dyshime kam plot por duhet të hetojë policia nga njerëzit që më rrethojnë këtu.
Top Channel