“Nga Vlora nuk ndahem as sot as mot” Rama deputet në Durrës: Vendi ku Mandati i Tretë duhet të sjellë hop të ri në vend

21/06/2021 17:28

Edi Rama e mbajti fjalën dhe mori mandatin e deputetit atje ku e mbështetën më shumë me vote preferenciale.

Pas 8 vitesh deputet i Vlorës, Kryeministri vendosi që në Kuvendin e ri të mbajë mandatin që i dha qarku Durrës. Në rrjetet sociale Kryeministri sqaroi arsyet e vendimit.

Sipas Ramës me apo pa mandat Vlora do jetë gjithmonë në zemrën e tij, por Durrësi për të është vendi ku mandati i tretë duhet të sjellë një hop të ri, jo vetëm për atë qytet po për krejt Shqipërinë.

Në të dyja qarqet Kryeministri ishte renditur i 8-ti por mes Vlorës që i dha 11.412 vota preferenciale dhe Durrësit që i dha 15.871 vota preferenciale, ashtu sikurse kishte paralajmëruar zgjodhi qytetin që e deshi më shumë.

Mandatin e Ramës në Vlore e merr Teuta Ramaj, e renditura e 9 në liste.

Kryeministri Rama ishte deputet i qarkut të Vlorës prej dy mandatesh dhe në zgjedhjet e 25 garoi si kandidat i teti në listën e socialistëve.

Dilemës së mandatin e cilit qark do mbajë i dha fund edhe Monika Kryemadhi, e cila në legjislaturën e re e do të ulet si deputete e Fierit.

Ndërkohë kryekomisioneri i zgjedhjeve Ilirjan Celilashi është duke përfunduar vendimin final për zgjedhjet e 25 prill.

Në këtë vendim do të ndahen edhe mandatet e deputetëve që dolën nga zgjedhjet e fundit për mandatin e ri të kuvendit që mblidhet në shtator.

Shkresa e Edi Ramës për Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve

Top Channel