Megjithëse qeveria greke njoftoi lehtësi sa i përket qarkullimit në të dy anët e kufirit me Shqipërinë duket se kjo nuk po ndodh në terren.

Vetëm 870 qytetarë shqiptarë kanë kaluar përmes pikëkalimit të Kakavijës përgjatë 24 orëve të fundit, pra kuota ditore prej 1500 qytetarësh që lejoheshin nuk është plotësuar madje autoritetet kufitare konfirmojnë se kemi një rënie të numrit të qytetarëve që kalojnë kufirin përgjatë ditëve të fundit.

Kjo ka ndodhur edhe për shkak të penalizimit të linjave të transportit që nuk lejohen të qarkullojnë në anën tjetër të kufirit nën pretendimin se qarkorja e miratuar ende nuk ka mbërritur zyrtarisht për autoritetet kufitare.

“Kemi një vit të penalizuar. Vjen autobusi deri këtu pastaj me karroca, me këmbë. Ka të sëmurë, të pamundur.”

“Po shkojmë në Greqi të takojmë fëmijët, nipërit, mbesat. Kemi një vit pa i parë. Kemi kartonin jeshil, testin. Do shkonim edhe sikur të ecnim 3 orë me këmbë, vetëm ti shohim.”

Sot u vu re një lehtësi që autoritetet shqiptare po bëjnë për autobusët shqiptarë, duke i lejuar ata të hyjnë gati një km në brendësi të territorit tranzit, për ti lënë qytetarët që udhëtojnë me autobus sa më pranë kufirit me Greqinë. Megjithatë kjo nuk po ndodh në anën tjetër në hyrje nga Greqia. 940 qytetarë kanë hyrë gjatë 24 orëve të fundit, shumica këmbësorë e që detyrohen ta përshkojnë këtë segment me këmbë.

Top Channel