Falsifikuan testet e covidit/ Prokuroria e Tiranës lëshon 13 urdhër ndalime. Shoqërohet një mjek dhe infermier

21/06/2021 15:24

Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhër ndalime për falsifikimet e testeve të covid-19.

Burime për gazetaren Anila Hoxha bëjnë me dije se mes të shoqëruarve është një mjek i identifikuar me inicialet M.K dhe një infermier i identifikuar me inicialet K.M.

Personat për të cilët prokurori Bledar Valikaj kërkon ndalimin janë: Eltjon Kola, Klodian Krasniqi, Blerim Cibaku, Erlind Prenga, Marinela Kalaja, Artur Dani, Alfred Cuni, Igli Çela, Mario Bicja, Xhuliano Senko, Ervin Hoxha, Tauland Kamberi, Eraldo Kalemaj.

Ngjarja

Administratori i shoqërisë “Genius Lab” ka depozituar një kallëzim, pasi sipas tij persona të paidentifikuar falsifikojnë fletë të testeve të analizave të covid me logon e laboratorit të tij, duke vendosur barkode dhe të dhëna të rreme.

Në dosjen që zotëron gazetarja Anila Hoxha thuhet se personi që falsifikonte këto teste ishte Roland Karrica, i cili kishte një dyqan internet-fotokopje-printime në rrugën “Zihani Sako” Tiranë, pranë vendit të quajtur Oxhaku.

Sekuestrimi

Mësohet se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar teste të plotësuara dhe bosh me logon e laboratorit Genius dhe Alnet dhe në koshin e mbeturinave janë gjetur teste covidi të grisura. Po ashtu është sekuestruar USB të ndryshme, një laptop, një kompjuter, telefon në pronësi të Roland Karricës.

Po ashtu gjatë këqyrjes së telefonit janë konstatuar biseda me persona që ishin të interesuar për testet, si dhe u u panë komunikime me disa shtetas të tjerë që i gjenin klientë organizatorit dhe më pas ndanin fitimet.

Top Channel