Vila e barit në Shijak/ Arrestohen elektricistët. Në kërkim pronarët e hashashit

20/06/2021 20:14

Një vilë 3 katëshe në Hardhishtë të Shijakut ishte shndërruar në një shtëpi bari ku kultivohej bimë narkotike kanabis sativa, po në fundjavë policia e Shijakut zbuloi dhe sekuestroi gjithçka të përdorur për këtë aktivitet të paligjshëm.

Të dyshuar si bashkautorë u shpallën në kërkim kushërinjtë Valter Greca, Andi Dashi (Greca) dhe Idajet Greca, ky i fundit elektricist në OSHEE.

Tre kushërinjtë Greca akuzohen se përshtatën në bashkëpunim dhe e kthyen shtëpinë e 27-vjeccarit Andi Dashi në vend për kultivimin e bimëve narkotike. Ata kanë ndërhyrë dhe në matësin e energjisë elektrike të vilës për të fshehur konsumin e tepërt e shmangur dyshimet.

Hetimet mbi rastin çuan dhe në arrestimin e 2 punonjësve të OSHEE në zonë. Ervin Stafa dhe Xhavit Istrefi, përkatësisht me detyrë faturist dhe elektricist pranë OSHEE-së u arrestuan për shpërdorim detyre. Përmes mosveprimit në verifikimin e konsumit dhe matësit të energjisë ata kanë favorizuar aktivitetin e paligjshëm. Sipas banorëve të fshatit, vila nuk banohej pasi pronari i saj jeton në Tiranë.

Pas kontrollit të vilës dhe sekuestrimit të pajisjeve dhe bimëve në cilësinë e provës materiale, policia deklaroi shpalljen në kërkim të 3 kushërinjve Greca për veprat penale “Kultivim të bimëve narkotike”, “Shpërdorim detyre” dhe “Vjedhje të energjisë elektrike”. Hetimet dhe puna për kapjen e autorëve të kultivimit të narkotikëve vazhdon nga autoritetet.

Top Channel