Një 51-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka dëmtuar pajisjet elektroshtëpiake në banesë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. S., 51 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, si dhe ka dëmtuar paisjet elektroshtepiake në banesë”, njofton policia.
Po ashtu në pranga kanë rënë edhe dy persona që akuzohen për veprën penale vjedhje.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. Sh., 35 vjeç dhe K. Xh., 43 vjeç, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”, bën të ditur policia.
Materialet procedurale në lidhje me këto raste u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel