Policia njofton se shuma e parave e sekuestruar dje në Durrës kap shifrën e 86.740 paund. Ato u gjetën në një furgon mallrash që vinin nga Italia, drejt Shqipërisë.

Policia i vuri prangat 21-vjeçarit Enes Haxhu me banim në Kamëz, i cili ishte shoferi i furgonit ku u gjetën të fshehura brenda një televizori, sasia e vlerës monetare, e ndarë në 16 pako.

Ndërkohë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale.

Njoftimi

Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me seksionin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës dhe autoritet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga ana e shërbimeve të Policisë, në hyrje, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, një furgon mallrash që vinte nga Italia, me drejtues shtetasin Enes Haxhiu

Gjatë kontrollit të kryer në furgon, në një televizor, u konstatuan 16 pako me para, paund, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, rezultoi se në pakot e sekuestruara në cilësinë e provës materiale kishte 86.740 paund.

Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, shtetasi E. Haxhiu 21 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Ndërkohë nga strukturat hetimore të DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë implikuar në këtë vepër penale.

Top Channel