Rivaliteti dhe grinta nuk mjaftojnë, derbi britanik mbyllet në paqe

18/06/2021 22:58

Mbyllet pa fitues derbi britanik në Euro 2020, me Anglinë e Skocinë që ndanë nga një pikë falë barazimit pa gola të arritur në “Wembley”.

Nën një atmosferë të jashtëzakonshme në Londër dhe veçanërisht në shkallët e “Wembley”-t, dy skuadrat me një rivalitet historik dhuruan një 90-minutësh shumë të luftuar dhe me raste, por topi nuk përfundoi asnjëherë në rrjetë.

Shkëndijën e parë të rrezikshme e dha mbrojtësi John Stones, që kërceu mbi të gjithë pas një krosi të ardhur nga këndi, por topi i gjuajtur prej tij përfundoi jashtë kuadratit.

Më pas ishte radha e skocezëve, që fillimisht testuan reflekset e portierit Pickford me një goditje të O’Donnell, ndërsa Che Adam flirtoi me golin, por topi përfundoi sërish jashtë kuadratit.

Në minutën e 55-të ishte kapiteni Harry Kane që shërbeu saktë për mbrojtësin Reece James, por ky i fundit nuk arriti t’i japë topit as forcën dhe as drejtimin e duhur, duke e dërguar lehtësisht në duart e portierit skocez.

Deri në fund Skocia i shkoi pranë golit me Adam, ndërsa më pas Anglia provoi me Rice, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund dhe dy skuadrat u kënaqën me nga një pikë, pasi llogaritë e kualifikimit mbeten të hapura.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA