PSG nuk heq dorë nga Hakimi, ofron 70 milionë euro për kartonin e marokenit

18/06/2021 22:44

Anësori maroken Achraf Hakimi i ka ditët e numëruara te Interi, pasi zikaltrit kanë vendosur ta sakrifikojnë për të rregulluar bilancet ekonomike dhe aktualisht Chelsea e Paris Saint Germain janë futur në një garë të ethshme për të marrë shërbimet e tij.

Klubi milanez dëshiron të arkëtojë rreth 80 milionë euro kesh nga kartoni i tij dhe në fillim të javës së kaluar ishte Chelsea që iu afrua kësaj shifre, duke ofruar 60 milionë euro kesh dhe kartonin e njërit mes Alonsos, Emerson Palmeirit dhe Christensen.

Por sipas mediave franceze, së fundi ka bërë lëvizjen e radhës Paris Siant Germain, që ka ofruar 70 milionë euro kesh, një shifër kjo e konsiderueshme për arkat e klubit zikaltër, megjithatë Marotta dhe Ausilio nuk kanë ndërmend të përgjigjen menjëherë.

Kjo pasi drejtuesit e Interit shpresojnë në një tjetër reagim të Chelsea-t, për të rritur edhe më shumë ofertën, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë nga shitja e Hakimit dhe të mos kenë nevojë të sakrifikojnë futbollistë të tjerë.

 

Top Channel