VENDIMI/ Gjykata i jep të drejtë Bashkisë së Tiranës për pallatet në Kombinat, duhen prishur sepse rrezikojnë jeten e banorëve

17/06/2021 17:47

Gjykata Administrative i ka dhënë sot të drejtë Bashkisë së Tiranës lidhur me prishjen e pallateve të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit 2019 në Kombinat, duke konfirmuar faktin se godinat duhet të demolohen për shkak se rrezikojnë jetën e banorëve.

Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rindërtimin e pallateve të reja në Kombinat, ku do strehohen të gjitha familjet e prekura, në apartamente të reja.

Ditën e sotme, gjykata rrëzoi paditë që kërkonin pezullimin e prishjes së pallateve, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe lejuar vijimin e punës për transformimin e zonës.

Ndonëse pallatet në fjalë ishin të dëmtuara shumë rëndë, paditësi kërkonte pezullimin e punimeve nga ana e Bashkisë dhe anulimin e vendimit për demolimin e tyre, pretendim që u rrëzua sot nga gjykata.

Sot gjykata është shprehur qartë se vendimi i Bashkisë së Tiranës për prishjen e godinave është i drejtë, pasi ato janë të dëmtuara mbi 70% të vlerës dhe sipas ligjit në fuqi, nëse një godinë është e dëmtuar në mbi 70% të vlerës së saj, ajo duhet prishur dhe rindërtuar, për shkak se paraqet rrezik të lartë për jetën e qytetarëve.

Prej dhjetorit 2019, Bashkia e Tiranës vijon të paguajë qiranë e plotë për të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, banesat e të cilave janë kategorizuar DS4 dhe DS5.

Procesi i Rindërtimit në lagjen e re të Kombinatit po ecën me ritme të shpejta, në mënyrë që të gjitha familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 të futen në apartamentet e pallateve të reja, që po ringrihen nga e para, në po atë zonë e shumë herë më të sigurta dhe më të mira se më parë.

Top Channel