Prokuroria e Posaçme SPAK ka dorëzuar në Gjykatë dosjen për Ardian Çapjan dhe 5 të pandehurve të tjerë për vrasjen e babë e birë, Nezar e Gentian Beqirit më vitin 2012, ndërsa hetimet në kuadër të të njëjtës dosje kanë vazhduar në sekret edhe për vrasjen e djalit tjetër të familjes Beqiri, Sajmir Beqirit.

Ky i fundit është vrarë mëngjesin e 11 prillit 2016, pak muaj pas masakrës së Elbasanit ku mbetën të vrarë 3 persona dhe të plagosur 8 persona. Mes të vrarëve në këtë ngjarje, vëllai i Ardian Çapjes, Agron Çapja dhe nipi i tij, Ardit Sinakllori.

Gjithashtu i plagosur mbeti edhe Florenc Çapja.

Nga hetimet e deritanishme, edhe vrasja e Sajmir Beqirit dyshohet të ketë ardhur si pasojë e hakmarrjes mes dy familjeve.

Gjithashtu, në këtë dosje është duke u hetuar edhe një rast i trafikut të lëndëve narkotike prej 260 kg kanabis, ku nga përgjimet ka dalë emri i një personi tashmë të shpallur në kërkim për një dosje tjetër të trafikut të kokainës.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sot më datë 17.06.2021 paraqiti në gjykatë kërkesë për kalimin për gjykim të çështjes penale Nr.98/1 viti 2021 (çështje e ndarë), ndaj të pandehurve Ardian Çopja (Çapja), Florenc Çapja, Olsi Leka (alias Jorgo Leku) alias Giorgo Lekou, Ervis Bardhi, Klajdi Dokoli e Etjen Cani, të akuzuar per kryerje të veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 79/dh, 278/2, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal, për vrasje të kryer ndaj dy viktimave Nezir Beqiri e Gentjan Beqiri (babë e bir) më datë 15.08.2012 dhe rreth orës 08-09’’, në Elbasan, brenda në banesë të tyre (apartament në kat të pestë).

Më vete, Ardian Çopja akuzohet dhe për krimet “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, të parashikuara përkatësisht nga nenet 278 paragrafi 2 e 3 dhe 279 të Kodi Penal, për fakt penal të verifikuar më datë 29.03.2021, kur gjatë arrestimit të tij iu gjet dhe sekuestrua në banesë një armë zjarri automatike kallashnikov, 60 fishekë dhe një bajonetë metalike, të cilat i mbante pa leje në banesë.

Në proçedimin penal Nr.98 viti 2021 do vijohet të kryhen hetime për vepra penale të tjera të dyshuara të kryera më parë nga Grupi i Strukturuar Kriminal.

Top Channel