NBA, Durant fantastik, Nets marrin kryesimin ndaj Bucks

17/06/2021 01:12

Brooklyn Nets merr sërish avantazhin në serinë e gjysmëfinaleve të Konferencës së Lindjes ndaj Milwaukee Bucks falë një super Kevin Durant. Ish-basketbollisti i Golden State Warriors shfaqi versionin e tij më të mirë në sfidën e 5-të mes këtyre dy skuadrave duke udhëhequr nju-jorkezët drejt triumfit me shifrat 114-108.

Në Barclays Center Kevin Durant ishte thjeshtë unik me një triple-double spektakolar. 49 pikë 17 rebound dhe 10 asiste, koleksionoi në total ylli i Brooklyn duke bërë që të mos ndihet aspak mungesa e liderit tjetër Kyrie Irving i dëmtuar.

James Harden ndërkohë i rikthyer pas problemeve fizike u shfaq poshtë pritshmërive duke realizuar vetëm 5 pikë në 45 minuta lojë. Milwaukee e nisi shumë më mirë ndeshjen duke e mbyllur periodën e parë në avantazhin e 14 pikëve, një distancë sigurie kjo që u mendua se do të ruhej nga Giannis Antekounmpo me shokë, sidomos kur në fund të periodës së dytë diferenca shkoi në 16 pikë.

Megjithatë Brooklyn shkëlqeu në dy periodat e tjera duke arritur të përmbysi shifrat për fitoren finale me rezultatin 114-108. Te Bucks 34 pikët, 12 rikuperimet poshtë tabelës dhe 4 pasimet deçizive të grekut Antetokounmpo ishin të pamjaftueshme për të evituar humbjen. Tashmë seria mes Nets dhe Bucks do të zhvendoset në Wisconsin me Milwaukee që do të kërkojë të barazojë në 3-3.

Top Channel