Maqedonia e Veriut “bie” edhe ndaj Ukrainës, praktikisht lamtumirë Europianit

17/06/2021 17:29

Maqedonia e Veriut praktikisht jashtë Europianit.

Debutuesit në këtë event madhor të futbollit pësuan humbjen e dytë në grup, këtë herë 2-1 përballë Ukrainës e tashmë edhe fitorja hipotetike ndaj Holandës, qoftë dhe e thellë, vështirë se do t’u jepte mundësinë të kualifikoheshin në fazën e 1/8-ave.

Vjen suksesi i parë për ekipin e Shevchenkos, që në sfidën e tretë ndaj Austrisë mund të luajë edhe për barazimin. Malinovksi dhe Jeremchuk krijuan situatat e para të rrezikshme në portën e Dimitrievskit (8’ dhe 11’), për të ardhur më pas te goli i parë i ndeshjes i realizuar nga Jarmolenko, që shfrytëzoi rreshtimin e gabuar të mbrojtjes maqedonase.

Vetëm pesë minuta më vonë skuadra e Shevchenkos shënoi të dytin me Jeremchuk, duke dhënë përshtypjen e një kapitullimi të shpejtë të ekipit të Angelovskit.

Reagimi i Maqedonisë së Veriut erdhi katër minuta më vonë me Goran Pandev, por goli i sulmuesit veteran u anulua për pozicion jashtë loje.

Maqedonia e Veriut e nis vrullshëm fraksionin e dytë, me Ademin që del në sulm për pak shënon me një goditje brenda zonës që u devijua nga portieri Bushchan.

Këmbëngulja e Maqedonisë së Veriut u shpërblye me golin e Alioskit në të 57-tën. Shqiptari i Leedsit gaboi fillimisht në ekzekutimit e 11-metërshit, por topi i kthyer nga portieri i shkoi sërish në këmbë dhe me portën e boshatisur e dërgoi topin në rrjetë.

Ukrainasit, me elementë më cilësorë në skuadër shpërdoruan disa raste të pastra për shënim, madje edhe një 11-metërsh me Malinovskin në minutën e 84-t, por maqedonasit ishin të pafuqishëm në manovrën sulmuese për të ndëshkuar kundërshtarin në ato pak minuta që kishin mbetur. Me dy humbje në dy sfidat e para në grup duke një utopi që Maqedonia e Veriut të mposhtë thellë Holandën dhe në sfidën e fundit dhe të shpresojë kualifikimin.

Top Channel