Kapen me dron shpërndarësit e drogës/ Tiranë, arrestohen 12 persona, në kërkim edhe ata që dogjën makinën e policit

17/06/2021 15:05

12 persona janë arrestuar në Tiranë, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim pasi u filmuan nga policia me anë te dronëve nga ajri, duke shitur lënde narkotike në qytet.

Pas ankesave të banorëve të zonës së ish-parkut, policia nisi një aksion dhe mbajti nën vëzhgim me anë të dronit të gjithë zonën dhe filmoi edhe një rast të shkatërrimit të pronës me anë të zjarrit.

Vëzhgimi në zonë ka zgjatur një vit dhe të gjithë të arrestuarit janë shumë të rinj, nga 17 vjeç deri në 27 vjeç. Gjatë hetimit dhe filmimit nga ajri, u dokumentua edhe djegia e dy automjeteve në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë nga dy persona që tashmë janë në kërkim. Me anë të dronit u mblodhën fakte për 22 persona, të cilët akuzohen penalisht si shitës të drogës, kryesisht hashashit dhe kokainës.

Kjo është hera e parë që policia e shtetit përdor dronët nga ajri për të filmuar ngjarje kriminale të tilla. Gjerësisht dronët janë përdorur nga policia rrugore për të filmuar nga ajri shoferët që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

Së shpejti, policia do ketë në dispozicion dronë shumë më të sofistikuar që do përdoren për kontrollin e territorit. Kjo u bë e ditur gjatë marrëveshjeve që kryeministri Rama dhe ministrat aktualë realizuan në Turqi me qeverinë turke. Turqia është prodhuese e dronëve që janë në gjendje të qëndrojnë 24 orë në shërbim në ajër dhe të filmojnë dhe kontrollojnë çdo cep të territorit të vendit.

Top Channel