IT, profesioni i artë/ Ekspertët e punësimit këshillojnë maturantët se çfarë të zgjedhin si profesion

17/06/2021 20:02

Eranda Ymerali, është administratore e një agjencie punësimesh në Shqipëri, që operon, që prej vitit 2012 në vend.

Në kohën që maturantët do të nisin aplikimet për në universitete, ajo këshillon si nxënësit edhe familjet e tyre, që të zgjedhin një profesion që kërkohet në treg.

Eranda Ymerali: Trendi i tanishëm, ose më saktë trendi prej 5 vjetësh, por që tani ka arritur një kulm është ai i Programuesit. Periudha e Covid 19-tës dhe post pandemia i ka ndërgjegjësuar bizneset multinacionale që të bëhen sa më efektivë. Ata kanë kuptuar që mund të kursesh, mund të shkurtosh shumë shpenzime duke e lënë një punonjës të punojë që nga shtëpia.Kemi pafund kërkesa për programues. Mund të mbyllim në një muaj të vetëm, 10-15 rekrutime për punësimin e programuesve. Niveli i pagave për grupmoshën 20-25 vjeç mund të shkojë deri në 2500 Euro neto. Natyrisht nëse këta profesionistë synojnë tregjet e Europës apo Amerikës, pagesa mund të shkojë në 10 mijë Euro, 20 mijë Euro.

Profesione të tjera të kërkuara janë Specialistët e Sigurisë së Shëndetit, dhe ruajtjes se mjedisit mbeten të kërkuara profesioni i Financierit, pa anashkaluar edhe sektorin e mjekësisë, ku ka një kërkesë shumë të lartë si për mjekë, infermierë, Farmacistë.

Në sallën e intervistave të agjencisë Olta po zhvillon intervistë me Kejvin 20 vjeç, i cili po kërkon një punë.

Kejvini: Profili im është recepsioni. Kam mbaruar shkollën e mesme për Hoteleri-Turizëm. Punoj që kur isha 16 vjeç, sot jam 20 vjeç. Nuk është se kam probleme familjare, ekonomike, thjesht dua të punoj për veten time, dhe mos t’i bie në qafë prindërve.

Juli Ristani

Top Channel