Një ish-punonjës i policisë shqiptare azil kërkues në Angli, ishte përfshirë në shitjen e kokainës në kryeqytetin britanik.

Maurisio Malaj, 30 vjeç pas arrestimit doli përpara gjykatës duke dhënë detaje se përse u përfshi në shitjen e kokainës për llogari të grupeve shqiptare kriminale shqiptare.

Top Channel duke iu referuar portalit Court News, i specializuar për lajme nga kronika e zezë, raporton se Malaj përpara policëve që e arrestuan u ka treguar një episod të cilin ata e kanë marrë shumë seriozisht.

Maurisio Malaj ka deklaruar se ai kishte punuar në Shqipëri si efektiv i infiltruar policie në mafian shqiptare.

Por ai do të transferohej në njësi tjetër policore.

Ai në deklarimin e tij ka pohuar se shkoi në Angli pasi bosët shqiptarë të trafikut të drogës kishin mundur të zbulonin se ai ishte agjent i infiltruar i policisë.

Malaj ka treguar se grupet kriminale i kishin torturuar brenda në një makinë babain për faktin se e kishin zbuluar se çfarë punë dhe roli kishte në policinë e shtetit.

Ish polici shqiptar shpjegoi se nisi të shiste kokainën pasi nuk kishte leje për të punuar teksa aplikimi për azil nuk i ishte shqyrtuar ende.

Paçka se u kap me një sasi të vogël kokaine Malaj nuk u dënua me burg.

Top Channel