Një diplomat i lartë pretendon se nuk do të kishte kuptim të zgjidhej në një konflikt të armatosur mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, pasi një luftë e tillë sipas tij, do të shkatërronte të gjithë njerëzimin.
Shqetësimet rreth tensioneve mes Pekinit dhe Washingtonit janë përshkallëzuar këtë vit sidomos pas Kina ka shtuar ndjeshëm praninë e saj ushtarake në detin e Kinës Jugore, pranë Tajvanit të vetëqeverisur.
Teksa Pekini e konsideron ishullin të tijin, dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë praktikisht marrëdhënie zyrtare diplomatike me të, ato mbeten mbështetësi më i rëndësishëm ushtarak i Tajvanit. Kina konsideron se Amerika po përpiqet ta thellojë marrëdhënien e vet jozyrtare me Tajvanin, e kjo e tërbon.
“Nëse dikush do të guxonte ta ndante Tajvanin nga Kina, ushtria çlirimtare e popullit do të kalonte në veprim për të luftuar e për të mbrojtur me çdo kusht unitetin dhe integritetin territorial të vendit”, tha më herët një zëdhënës i ministrisë kineze të mbrojtjes.
Admirali Philip Davidson, zyrtar i lartë i ushtrisë amerikane në Azi, deklaroi në mars se Kina mund ta pushtojë Tajvanin brenda 6 vjetësh. E gjithë kjo situatë ka bërë të lindin pyetjen se anën e kujt do të mbajë Rusia, që edhe vete është në raporte të tensionuara me Amerikën.
Ambasadori rus në Pekin, Andrey Denisov tha se s’mund të ketë përgjigje për këtë pyetje, pasi nuk do të ketë një konflikt të armatosur mes Kinës dhe SHBA, ashtu siç nuk mund të ketë një konflikt të armatosur mes Rusisë dhe SHBA-se, pasi në një rast të tillë “do të shfaroseshin të gjithë”.
Top Channel