Ministrja e Shëndetësisë në vendin tonë, Ogerta Manastirliu ka dhënë një lajm mjaft të mirë.

Përmes një postimi në rrjete sociale ajo shkruan se numri i rasteve aktive me Covid-19 vijon të ulet në të gjithë vendin, ndërkohë që në spitalin Infektiv po trajtohen vetëm 9 pacientë të infektuar me koronavirus.

“LAJM I MIRË! Vetëm 9 pacientë me #Covid19 po marrin trajtim në spitalin Infektiv, teksa vijon të ulet numri i rasteve aktive në të gjithë vendin”, shkruan ministrja bashkangjitur fotos së stafit mjekësor të Infektivit.

Ndërkohë, kujtojmë se, procesi i vaksinimit po ecën me ritme të shpejta në vendin tonë, ndërsa kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i afatit përfundimtar për të arritur në 1 mln vaksina, deri më tani janë kryer rreth 850 mijë vaksinime.

Fushata e vaksinimit ka nisur që prej muajit janar me vaksinën Pfizer, AstraZeneca, si dhe Sinovac dhe Sputnik V, që nuk e kanë marrë ende certifikimin e EMA-s.

Dje, Bashkimi Evropian hoqi kufizimet e udhëtimeve me Shqipërinë duke e shpallur vend të sigurt, sa i takon Covid-it.

Top Channel