Konflikti për paratë e Rinasit/ Arrestohen vrasësit e dy vëllezërve në Durrës

17/06/2021 14:21

Dy bashkëpunëtorë në vrasjen e vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në prill të vitit të kaluar në Durrës, kur vendi ishte në karantinë u arrestuan mëngjesin e sotëm gjatë një operacioni policor të drejtuar nga SPAK-u.

Shtetasit Besian Xhixha, 30 vjeç, banues në Larushk të Fushë- Krujës dhe Enver Diva, 42 vjeç, banues në Fushë Mamurras të Kurbinit u arrestuan bazuar në vendimin e gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” kryer në bashkëpunim dhe “Mashtrim”. Nga hetimet e kryera dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim, kanë vëzhguar lëvizjet e vëllezërve duke krijuar dhe siguruar mjetet për ekzekutimin e tyre.

Më parë, për vrasjen e Haxhiajve janë arrestuar Altin Ndoci dhe Klevis Alla, ndërsa u shpallën në kërkim Talo Çela e Nuredin Dumani.

Në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë Klevis Alla pati dëshmuar se Talo Çela ka patur një konflikt me viktimat të cilëve u kishte lënë në ruajtje një sasi parash, që dyshohet se ishte pjesë e shumës së grabitur në Rinas, po paratë nuk i ishin kthyer, pasi vëllezërit pretendonin se ato u ishin grabitur në servisin e tyre, në fillim të vitit të kaluar.

Vëllezërit u vranë pranë tregut të makinave në Shkozet brenda automjetit të tyre, ndërsa policia e Durrësit njoftoi se po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje kriminale dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në të.

Top Channel