Dinamo e Superiores nis nga trajneri, projekti i besohet Blendi Shkëmbit

16/06/2021 20:53

Dinamo ia doli të rikthehet në Kategorinë Superiore, pas shumë vitesh endjeje në ligat e ulëta, ndërsa tani ka nisur punën për të ndërtuar një skuadër konkurruese dhe të denjë për historinë që përfaqëson.

Gjithçka ka nisur nga trajneri, pasi projekti i rikthimit të klubit kryeqytetas në nivele të larta i është besuar Blendi Shkëmbit. Lajmi që ishte në ajër prej ditësh, është konfirmuar mbrëmjen e sotme nga vetë blutë e kryeqytetit, që njoftuan se prezantimi zyrtar do të bëhen nesër në orën 11:00.

Korçari 41-vjeçar ka një eksperiencë shumë të madhe si futbollist, ndërsa si trajner e nisi karrierën te Liria e Prizrenit në Kosovë, e më pas drejtoi për disa muaj edhe Teutën e Durrësit në Kategorinë Superiore.

Së fundi Shkëmbi ishte trajner i Ballkanit në Superligën e Kosovës, ku punoi deri në fund të sezonit, ndërsa nga dita e nesërme do të nisë punën në pankinën e Dinamos, me misionin për të rikthyer emrin e skuadrës aty ku i takon.

Top Channel