I shumëmediatizuar e i pritur më vëmendje të madhe, takimi i presidentit amerikan Joe Biden me atë rus, Vladimir Putin në Gjenevë të Zvicrës duket i destinuar të shënjohet nga tensionet, e kjo jo vetëm brenda sallës ku liderët e dy prej kombeve më të fuqishme të botës po përballen me njëri tjetrin.
Fërkimet ne fakt, duket se nuk kanë munguar as jashtë rezidencës Villa La Grange. Gazetari i ‘Wall Street Journal’, Andrew Restuccia publikoi në llogarinë e tij në Twitter një foto ku shihet situata e tensionuar që u krijua mes gazetarëve rusë dhe amerikanëve.
“Skenë kaotike jashtë vilës ku Putin dhe Biden po takohen. Gazetarët rusë po nguten të zënë pozicionet, ndërsa zyrtarët amerikanë u thërrasin të qëndrojnë prapa,”- ka shkruar ai. Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë janë acaruar prej vitesh, duke filluar që me aneksimin e Krimesë nga Rusia në 2014, ndërhyrjen e rusëve në Siri në 2015 dhe akuzat amerikane, të kundërshtuara nga Kremlini, se Rusia është përzjerë në zgjedhjet amerikane.
Komenti i Presidentit Biden në mars se Putini është “vrasës” e acaroi edhe më tej situatën, duke rezultuar në vendimin e Kremlinit për të thirrur ambasadorin e tij në Uashington. Në muajin prill, Shtetet e Bashkuara thirrën edhe ato ambasadorin e tyre në Moskë. Asnjë prej diplomatëve nuk është kthyer ende në post.
Top Channel