Të dënuarit për terrorizëm/ Nuk pranojnë të çradikalizohen në Kosovë

15/06/2021 12:34

Vetëm 12 të dënuar për terrorizëm në Kosovë kanë marrë pjesë në ligjëratat për deradikalizimin e tyre.

Nga 147 të burgosur, 135 nuk kanë marrë pjesë në asnjë ligjëratë të mbajtur nga imamët e Bashkësisë Islame të Kosovës, bazuar në memorandumin e bashkëpunimit me Ministrinë e Drejtësisë, me qëllim të rehabilitimit dhe integrimit të tyre në shoqëri.

Zëvendës drejtori i Shërbimi Korrektues të Kosovës, Rasim Selmani tregon se kjo ka ndodhur pasi të burgosurit për vepra terroriste kanë refuzuar të jenë pjesë e tyre.

Megjithatë, edhe ata që kishin pranuar, kanë mundur t’i ndjekin vetëm tetë ligjërata.

Selmani thotë se kjo ka ndodhur pasi marrëveshja ishte vetëm një vjeçare, prill 2018- prill 2019, dhe se imamët nuk paguheshin.

Kryemami i BIK, Vedat Sahiti duke mos dashur të komentojë, shkurtë ka thënë se marrëveshja ishte në kohën e një kryeimami tjetër dhe se nuk ka shumë informacione.

Nga 147 të burgosur dënimin deri tani e kanë përfunduar 130, ndërsa në vuajtje janë edhe 17.

Shqetësues këtë fakt po e sheh drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi, i cili thotë se përfundimi i vuajtjes së burgimit pa u shëruar nga idetë ekstreme fetare mund ta dëmtojnë edhe më shumë shoqërinë.

Riatdhesimi i fundit i kosovarëve nga Siria u bë në prill të 2019-ës.

Nga zonat e luftës në Siri u kthyen 110 shtetas kosovarë, prej tyre katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, përfshirë nëntë fëmijë që kishin humbur prindërit në luftë.

Top Channel