Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se aleanca ka hapur një kapitull të ri në historinë e saj në samitin e liderëve në Bruksel.
“Sot, ne hapëm një kapitull të ri për aleancën tonë. Ne adresuam çështje kryesore nga siguria dhe morëm vendime të gjera. Evropa dhe Amerika e Veriut duhet të qëndrojnë të fortë së bashku në NATO për të mbrojtur vlerat tona në një kohë kur regjimet autoritare si Rusia sfidojnë rendin ndërkombëtar”, u tha Stoltenberg gazetarëve pas takimit të liderëve.
Stoltenberg shpjegoi se liderët e NATO-s rikonfirmuan “qasjen me dy rrugë” të aleancës ushtarake me Rusinë, bazuar në ruajtjen e mbrojtjes dhe të qenit i hapur për dialog, veçanërisht në fushën e kontrollit të armëve. Në komunikatën përfundimtare të samitit thuhet se krerët e vendeve dhe qeverive po ashtu përsëritën mbështetjen e tyre për “integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Republikës së Moldavisë brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht”.
Si një nga risitë e samitit, liderët e NATO-s adresuan “ambiciet e deklaruara të Kinës dhe sjelljen pohuese, si dhe politikat e saj shtrënguese që qëndrojnë në kontrast me vlerat themelore të ngulitura në Traktatin e Atlantikut të Veriut dhe përdorimin e dezinformimit”. Ata vendosën të angazhohen në një dialog konstruktiv me Kinën mbi çështjet përkatëse të aleancës, të tilla si ndryshimet klimatike, por kërkuar nga Kina “të mbështesë angazhimet e saj ndërkombëtare dhe të veprojë me përgjegjësi në sistemin ndërkombëtar, përfshirë në fushën e hapësirës, kibernetikës dhe në atë detare, në përputhje me rolin e saj si një fuqi e madhe”.
Bazuar në mësimet e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), liderët po ashtu ranë dakord për të forcuar rezistencën e aleancës ushtarake ndaj krizave të paparashikuara dhe për të forcuar infrastrukturën e saj kritike. Për herë të parë, “ndikimi i sigurisë së ndryshimeve klimatike” po ashtu u diskutua dhe liderët u pajtuan të marrin në konsideratë këtë pikëpamje kur planifikojnë mbrojtjen kombëtare”. “Jam i kënaqur të njoftoj se të gjithë aleatët bënë një angazhim të qartë për të ulur ndjeshëm emetimet ushtarake. Ne po ashtu ramë dakord për të vendosur objektiva konkrete për NATO-n për të kontribuar në qëllimin e zero emetimeve deri në vitin 2050”, tha Stoltenberg.
Liderët po ashtu miratuan një politikë të re të mbrojtjes kibernetike bazuar në aftësi të forta teknike, konsultime politike dhe planifikim ushtarak për të mbajtur të sigurt sistemet e NATO-s. Stoltenberg po ashtu theksoi se përgatitja e NATO-s për sfida të reja kërkon “rritje të burimeve në tre buxhetet e NATO-s, në atë të ushtrisë, civilëve dhe infrastrukturës”. Bazuar në gjetjet kryesore të samitit, liderët mandatuan sekretarin e përgjithshëm për të zhvilluar konceptin e ri strategjik të NATO-s deri në samitin e tyre të ardhshëm në vitin 2022 në Spanjë, ku ata po ashtu supozohet të vendosin për rritjen e buxhetit.
Top Channel