Ministri Çuçi takim me kreun e EUROPOL: Të shtrijmë bashkëpunimin në shkëmbimin e informacionit edhe me SPAK e BKH

15/06/2021 17:36

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi sot një takim online me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL, Catherine De Bolle.

Në një reagim pas takimit ai thotë se ndër të tjera është diskutuar edhe për “shtrirjen e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit edhe me institucionet e reja të drejtësisë të ngritura në vendin tonë siç është SPAK e BKH”.

Shqipëria shprehet ministri Çuçi, ka ambicien të marrë një rol të shtuar në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacione njësoj si të ishte një shtet anëtar i Bashkimit Europian. I pranishëm në takim ishte edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Reagimi i plotë i Ministrit të Brendshëm

Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim me drejtoreshën ekzekutive të EUROPOL, znj. Catherine De Bolle. Diskutuam mbi stadin e bashkëpunimit të deritanishëm, ku Shqipëria është një aktor i përfshirë në formë të drejtpërdrejtë në operacionet e përbashkëta kundër trafiqeve dhe veprimtarive të tjera kriminale. Çështje tjetër me rëndësi gjatë diskutimit që pata me të, ishte edhe shtrirja e bashkëpunimit në shkëmbimin e informacionit edhe me institucionet e reja të drejtësisë të ngritura në vendin tonë siç është Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. Rritja e sasisë dhe e cilësisë së informacionit të shkëmbyer, si dhe ky dimension i ri bashkëpunimi që duam të krijojmë me SPAK e BKH, do të ndihmojë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme. Shqipëria ka një rol aktiv në EUROPOL dhe vijon të jetë shtet drejtues në operacione veprimi, por kemi natyrisht ambicien të marrim një rol të shtuar në skuadra të përbashkëta hetimore dhe operacione njësoj si të ishim shtet anëtar i Bashkimit Europian.

Top Channel