Përveç të tjerash, samiti i NATO-s pritej me interes të madh në Greqi për shkak të takimit të shumëpërfolur midis kryeministrit Kuriakos Mitsotakis dhe presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan.
Burime diplomatike kanë bërë me dije se ky takim prej 50 minutash me dyer të mbyllura u zhvillua në një klimë të ngrohtë dhe pozitive duke theksuar në mënyrë karakteristike se u thye akulli mes dy liderëve dhe të dy ranë dakord që të lënë pas tensionet e vitit të kaluar ,me gjithë pikëpamjet krejtësisht të kundërta që ndajnë për çështjet dypalëshe.
“Për mirëkuptim të ndërsjellë”, midis dy palëve flasin sot mediat greke , duke shtuar se, Mistotakis dhe Erdogan kane theksuar që “tensioni i vitit 2020 nuk mund të përsëritet dhe duhet të bëhen përpjekje për të shmangur sfidat që çojnë në situata të vështira për t’u menaxhuar.
Madje në konferencën për shtyp presidenti turk ka deklaruar se i ka thënë kryeministrit grek që nuk ka nevojë që për problemet dypalëshe të ndërmjetësojë një palë e tretë, por duhet të flasin drejtpërdrejt ata të dy.
Të njëjta burime thonë se megjithëse ndasitë dhe pozicionimet e kundërta mbeten, sidomos për çështjen kryesore të përcaktimit të kufijve të zonave detare, bisedimet teknike duhet të vazhdojnë,si dhe dialogu dhe agjenda pozitive që përmban 25 projekte kryesisht të natyrës ekonomike dhe tregtare.
Ndërsa theksohet edhe nga mediat turke se të paktën do të ketë një verë të qetë në marrëdhëniet dypalëshe, në Greqi është komentuar me shumë zell fotografia e takimit të parë të presidentit amerikan Biden me atë Erdogan,kryesisht për pozicionin e këtij të fundit.
Por nga ana tjetër ka shumë analistë që kanë ripërsëritur se asgjë nuk u arrit sa i takon çështjeve që Greqia ndan me Turqinë, se nuk është hera e parë që Ankaraja paraqet një fytyre pozitive në Bruksel e më pas vazhdon përsëri provokimet.
Ndërsa të tjerë janë shprehur se të paktën Biden dhe Erdogan u takuan dhe folën gjatë, kurse kryeministri grek nuk ka mundur të sigurojë një takim me presidentin e ri amerikan.
Top Channel