Djokoviç blindon kreun, tani vetëm një slam larg dyshes Federer-Nadal

15/06/2021 00:08

Me triumfin në Roland Garros, Novak Djokovic u ngjit në kuotën 19 të trofeve Slam, duke e parë veten tashmë thjesht një titull larg dyshes së mirënjohur Roger Federer – Rafael Nadal. Tenisti nga Serbia u duk i mundur pas dy seteve të para, por Nole ia doli mbanë për të përmbysur gjithçka, duke fituar për herë të dytë në karrierë Kupën e Musketierëve.

Një fitore e madhe dhe një sukses i jashtëzakonshëm për 34-vjeçarin në Slam-in francez, për më tepër ndaj një tenisti si Stefanos Tsitsipas, që u duk fillimisht se ishte në një ditë të mirë, për t’u kurorëzuar me titullin e parë të madh, që në finalen e parë Slam në karrierë.

Titulli i dytë rresht Slam për numrin 1 të botës, që këtë herë përveç titullit përfitoi edhe 800 pikë në klasifikimin e përgjithshëm botëror. 12 muaj më herët Nole u poshtërua në finalen e madhe duke pësuar një ndër humbjet më të rënda në karrierë. Në atë takim Rafael Nadali humbi vetëm dy game gjithsej në dy setet e para të ndeshjes dhe “mbreti i fushave me dhe” u kurorëzua për herë të 13 në turneun e famshëm parizien, duke fituar thellë 6-0, 6-2, 7-5, ndërsa këtë herë në edicionin e 125 të Roland Garros-it Djokovic ia doli për të triumfuar, pavarësisht vështirësive të mëdha që hasi përgjatë rrugëtimit të tij.

Tre ndeshjet e para me kundërshtarë si Tennys Sandgren, Pablo Cuevas dhe Ricardas Berankis Nole i fitoi pastër dhe pa asnjë lloj vështirësie, ndërsa më pas aventura e tij u ndërlikua ndjeshëm dhe Novak Djokovic u përball me sfida tepër të vështira, duke nxjerrë në pah përsëri besimin e jashtëzakonshëm si dhe forcën e pabesueshme që ka ky njeri në aspektin psikologjik. Në karrierë tenisti nga Serbia ka kaluar sa e sa sprova të tilla, megjithatë këtë radhë java e dytë e këtij edicioni të Slam-it Francez ishte vërtet sa e ngjeshur po aq edhe e vështirë.

Në fazën e 1/8 Nole përfitoi edhe nga dëmtimi i numrit 61 të botës, tenistit italian Lorenzo Musetti për të kthyer disavnatazhin e dy seteve të parë, të cilët i humbi që të dy me tie break, ndërsa në çerekfinale Djokovic për pak sa nuk lëshoi avantazhin e dy seteve ndaj italianit tjetër, numrit 9 në planet Matteo Berrettini, që shpërdoroi mundësinë për të çuar ndeshjen në tie break në setin e katërt, pasi përgjysmoi fillimisht diferencën e seteve nga 2-0 në 2-1, po me një tie break tepër dramatik. Në fazën gjysmëfinale 34-vjecari ia doli mbanë për të rikuperuar nga disavantazhi i setit hapës, për të përmbysur rezultatin ndaj tenistit më të madh që ka parë njerëzimi në këtë lloj sipërfaqe.

Rafa madje pati mundësinë për të kryesuar 2-1 me sete, teksa shpërdoroi një set point në game-n e 12 të këtij seti, ndërsa në setin pasardhës përsëri 35-vjeçari i famshëm spanjoll e nisi lojën me një game me break, për të kryesuar 2-0 por Djokoviç përmbysi përsëri shifrat, për të marrë edhe gjashtë game-t e fundit të takimit. Një duel që zgjati më shumë se katër orë dhe një lloj hakmarrje e ëmbël për tre finalet e humbura në dheun e kuq parizien.

Pas ndeshjes plot krenari Novak Djokovic deklaroi se konsideronte pikërisht Rafën si kundërshtarin dhe rivalin e tij më të fortë në karrierë, sidoqoftë pas atij triumfi tenisti ballkanas e përmirësoi akoma më shumë bilancin e përgjithshëm të sfidave ndërmjet tyre, duke u shkëputur për të kryesuar 30-28. Në krahun tjetër Nadali shpjegoi se nuk është më 21 vjeç dhe nuk ka pretenduar ndonjëherë që do të fitojë pafundësisht në Roland Garros, gjithsesi nëse do të bëhet një krahasim Djokovic duket shumë më i freskët në aspektin fizik, ndërsa Rafa do ta ketë të vështirë për të fituar njësoj si më parë.

Shembulli më i qartë është vetë finalja e madhe në Philippe Chatrier, ku Nole përmbysi disavantazhin e dy seteve, për të fituar 6-7, 2-6, 6-3, 6-2, 6-4 pas më shumë se katër orëve lojë. Humbjet me britanikun Dan Evans në Montecarlo, rusin Aslan Karatsev në Beograd si dhe Rafën në finalen e Mastersit të Romës nuk e demoralizuan aspak numrin 1 të botës, që në finalen e Parisit ruajti në mënyrë të pabesueshme qetësinë, duke mposhtur në të gjitha drejtimet tenistin grek Stefanos Tsitsipas.

22-vjecari helen vuajti sigurisht edhe mungesën e eksperiencës në nivele të tilla kaq të larta, për më tepër siç deklaroi edhe vetë në fundin e takimit Stefanos u njoftua vetëm 5’ para fillimit të finales së Roland Garros-it për humbjen e gjyshes nga ana e babait. Tenisti nga Athina ia dedikoi finalen e parë Slam në karrierë pikërisht gjyshes së tij të dashur, sidoqoftë në fund Tsitsipas përfito treçerek milionë euro dhe 1200 pikë, duke u ngjitur në pozicionin e katërt në renditjen botërore, vetëm 650 pikë larg Nadalit për të shkëmbyer gjithashtu edhe vendin me austriakun Dominic Thiem, dy herë finalist në Roland Garros, që këtë herë zhgënjeu shumë, duke u rrëzuar që në start.

Këtë vit organizatorët e Slam-it Francez reduktuan shpërblimet në masën 10%, gjithsesi Novak Djokovic përfitoi plot 1.4 milionë euro, për t’u shkëputur me afërsisht 2.000 pikë nga tenisti rus Daniil Medvedev që pozicionohet i dyti. Tepër i lumtur Nole në përfundim i dhuroi raketën njërit prej fansave më të zjarrtë, që nuk kurseu zërin gjatë gjithë kohës për të mbështetur idhullin e tij, për t’u shpërblyer në fund edhe me “suvenirin e jetës”.

Në krahun tjetër numri 1 i botës do të synojë që të barazojë në kuotën 20 sa më shpejt që të jetë e mundur dyshen Federer – Nadal, megjithëse për hir të së vërtetës trajneri i tij Marian Vajda beson se tenisti që ai stërvit i ka të gjitha mundësitë për të kompletuar Grand Slam-in, brenda vitit 2021, duke marrë pra përveç trofeve në Melbourne Park dhe Roland Garros gjithashtu edhe titujt në Wimbledon dhe US Open.

Top Channel