Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka thënë të martën se është i vetëdijshëm që procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të jetë i lehtë, mirëpo angazhimi i të dyja palëve është i domosdoshëm për popujt e dy vendeve.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen të martën, më 15 qershor, në Bruksel në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.
Borrell ka thënë se gëzohet që takimi po zhvillohet në kohën e njëjtë kur Bashkimi Evropian takohet me presidentin amerikan Joe Biden.
“Kemi një momentum të ri dhe na duhet ta shfrytëzojmë atë”, ka thënë ai, duke thënë se kjo mundësi vlen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Borrell ka thënë se është e qartë se rezultatet e dialogut Kosovë-Serbi shtrojnë rrugën për të ardhmen evropiane për të dyja palët.
Zyrtari i BE-së ka thënë mes tjerash se blloku evropian dhe vetë ai presin përparim të shpejtë në procesin e dialogut, për ta lënë të kaluarën mbrapa dhe të arritur marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim marrëdhëniesh.
Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i nivelit të lartë në dialog do të lehtësohet nga Borrell, i cili do të mbështetet nga përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Takimi i së martës është i pari ndërmjet kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq.
Fillimisht Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq, ndërkaq rreth orës 10:30 pritet të nisë takimi trepalësh, ku do të jenë të pranishëm kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë, kreu i diplomacisë së BE-së, Borrell, si dhe përfaqësuesi i Posaçëm, Lajçak.
Top Channel