Biden takohet me Erdogan: Vullnet për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara 

15/06/2021 11:49

Pas takimit të tyre, të zhvilluar në vazhdën e samitit të liderëve të NATO-s në Bruksel, presidentët e Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara konfirmuan gatishmërinë  për të riparuar  marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve dhe për të forcuar bashkëpunimin.

Joe Biden shpjegoi se ekipet e tyre do të vazhdojnë punën për të zbatuar ato për të cilat janë marrë vesh.

Biden: Patëm diskutime te detajuara mbi mënyrën sesi do të veprojmë për një sërë çështjesh. Të dy vendet tona kanë agjenda të mëdha. Kam shumë besim se do të bëjmë përparim vërtet. 

Erdogan u shfaq optimist pas takimit, edhe pse nuk konfirmoi nëse ka pasur ndonjë progres të madh lidhur me mosmarrëveshjet mes dy vendeve për blerjen e armëve ruse nga ana e Turqisë, situatën në Siri dhe Libi si dhe çështje tjera.

Erdogan: Fushat e bashkëpunimit mes nesh janë më të mëdha sesa problemet. Ne ramë dakord t’i mbajmë të hapura kanalet e dialogut mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara, ashtu siç bëjnë partnerët dhe aleatët strategjikë.  

Pavarësisht nga toni i tyre optimist në publik, asnjëri nuk dha detaje se si saktësisht do ta ndreqin marrëdhënien, dhe as nuk paraqiti hapat që do të ndihmonin në lehtësimin e tensioneve mes aleatëve të NATO-s. Turqia, vendi me ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s, ka zemëruar aleatët e saj në aleancën ushtarake perëndimore duke blerë raketa ruse tokë-ajër dhe duke ndërhyrë në luftërat në Siri dhe Libi.

Biden përgjithësisht ka adoptuar një ton më të ftohtë se paraardhësi Donald Trump ndaj Erdoganit, dhe pak kohë më parë njohu masakrën e armenëve në 1915 si genocid – qëndrim ky që zemëroi Ankaranë. Uashingtoni tashmë e ka hequr Turqinë nga programi i avionëve luftarakë F-35 dhe ka vendosur sanksione lidhur me blerjen e raketave ruse tokë-ajër S-400 nga ana e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA