Julian Assange, njeriu që ndërtoi famën e tij, të mirë ose të keqe, mbi lirinë e informacionit, ironikisht ka në dispozicion ne burg, një kompjuter pa akses në internet, me portat e daljet e tij të dyllosura me rrëshirë.
Një kompjuter të tillë ka mbi tavolinën e tij në qelinë e burgut të Belmarsh në Londër, ku mbahet prej dy vitesh, teksa këto ditë pret vendimin e ekstradimit ose jo drejt SHBA.
49-vjeçari Assange po mbahet në një burg të sigurisë së lartë, duke ngritur shqetësime mbi ndalimin e pakufizuar të një njeriu që nuk është shpallur ende fajtor për asgjë.
Gruaja e tij Stella Moris, 38 vjeçe, tha: “Julian ka fituar kundër ekstradimit në SHBA gjashtë muaj më parë, por mbahet ende i burgosur.
“Mezi po mbahet brenda burgut të Belmarsh. Ai lufton por kjo duket si një dënim i pafund. Në disa raste ai ndjehet aq keq sa beson se është një barrë për të tjerët dhe kemi frikë për vetëvrasje”.
Moris vazhdon: “Julian nuk është i dhunshëm, nuk është rrezik për shoqërinë. Ai është publicist dhe kjo çështje ka të bëjë me lirinë e informacionit. Kjo situatë turpëron sistemin britanik të drejtësisë. Është një njollë në reputacionin e Britanisë”.
Assange kërkohet nga SHBA për 17 akuza spiunazhi dhe një për konspiracion krimi kompjuterik.
Akuzat kanë lidhje me publikimin në rrjet të 700,000 dokumenteve të klasifikuara për krimet dhe brutalitetin e ushtrisë së SHBA, që iu kaluan WikiLeaks në 2010 nga ish-analisti i inteligjencës ushtarake amerikane Chelsea Manning (asokohe i quajtur Bradley Manning).
Assange e ka të vështirë të lexojë por miqtë raportohet se i kanë dërguar ditaret e burgut të marksistit italian me origjinë shqiptare Antonio Gramshi, i cili në vitet 1930 përshkruante torturën fizike e psikologjike të burgut.
Top Channel