Nga Brukseli, presidenti amerikan Joe Biden theksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj NATO-s, duke i rikthyer aleatëve qetësinë që iu lëkund nga paraardhësi i tij, Donald Trump.
Krerët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur në kryeqytetin belg për të diskutuar sfidat e aleancës që sipas Biden, përballet me shumë të tilla.
Biden: Kemi Rusinë që nuk vepron në përputhje me atë që shpresojmë dhe kemi Kinën. NATO-ja është thelbësore për interesat amerikane. Neni i 5-të është një detyrim i shenjtë” dhe Europa duhet të dijë se Shtetet e Bashkuara janë këtu.
Me këtë koment, Biden iu referua klauzolës së mbrojtjes së ndërsjellë të NATO-s. Sekretari Stoltenberg tha se marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë janë në “pikën më të ulët që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.“Kjo është për shkak të veprimeve agresive të Rusisë,” deklaroi ai ndërsa insistoi që aleanca të ketë një qasje më të ashpër ndaj Pekinit. Ne nuk po hyjmë në një Luftë të re të Ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtari ynë, as armiku ynë.
Por, ne duhet t’i trajtojmë së bashku, si aleancë, sfidat që ngritja e Kinës paraqet për sigurinë tonë”, u shpreh ai. Biden po merr pjesë në një samit të NATO-s për herë të parë që prej marrjes së detyrës së presidentit, në muajin janar, dhe përgjatë gjithë kësaj kohe nuk ka ngurruar ta përcjellë mbështetjen e tij për aleancën ushtarake. Në këtë samit të rëndësishëm merr pjese dhe kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili kryeson delegacionin përfaqësues të Shqipërisë si vend anëtar.
Top Channel