Lewandowski në hije, Szczesny në histori, Skriniar i jep 3 pikët Sllovakisë

14/06/2021 20:15

Sllovakia bën surprizën në “Gazprom Arena” të Shën Petërsburgut, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 2-1 përballë Polonisë së Robert Lewandowskit dhe hodhi kandidaturën për të kaluar në fazën e 1/8-ave të këtij kompeticioni.

Polakët ishin favoritë jo vetëm për të fituar këtë takim, por edhe për të kaluar grupin bashkë me Spanjën, por Sllovakia e nisi më mirë ndeshjen dhe arriti të gjejë golin e avantazhit pas vetëm 18 minutash lojë.

Ishte sulmuesi anësor Mak që bëri një aksion mjaft të bukur dhe gjuajti në shtyllë, teksa topi i kthyer u përplas në kokën e Szczesn-t dhe përfundoi në rrjetë, me polakun që hyri në histori, duke u bërë i pari portier që shënon autogol në Europian.

Polakët u përpoqën të reagojnë, por ishin të paqartë në manovrën e tyre sulmuese, ndërsa liderit të ekipit, Robert Lewandowski i ishte rezervuar një markim mjaft i rreptë dhe nuk iu dha mundësia të kërcënojë kuadratin.

Pjesa e dytë nisi mjaft mirë për Poloninë, që arriti të rikthejë baraspeshën me aksionin e parë sulmues, me mesfushorin Linetty, që u shërbye brenda zonës dhe gjuajti menjëherë, duke dërguar topin në rrjetë.

Megjithatë ndeshja ndryshoi rrjedhë sërish në minutën e 62-të, kur mesfushori Krychoviak shkeli kundërshtarin dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë Poloninë me 10 futbollistë, kur kishin mbetur ende edhe 30 minuta lojë.

Përfiton maksimalisht nga epërsia numerike skuadra sllovake, që pas një aksioni me Haraslin fiton një goditje nga këndi dhe në topin e hedhur në zonë nga Marek Hamsik, ishte mbrojtësi i Interit, Milan Skriniar, që kontrolloi mirë dhe gjuajti bukur brenda zonës, duke dërguar sferën në rrjetë për herë të dytë.

Me avantazhin e një goli dhe një futbollist më shumë në fushë, Sllovakia u kujdes më shumë të ulë ritmin dhe të mbajë larg kundërshtarin, ndërsa Polonia provoi të afrohej kryesisht me goditje standarde, por pa arritur të kërcënojë kuadratin e mbrojtur nga Dubravka.

Vërshëllima finale e arbitrit rumun Hategan la në fuqi rezultatin 2-1 në favor të Sllovakisë, që merr tre pikë në ndeshjen e parë dhe rrit besimin e shpresat për të kaluar grupin.

Top Channel