I shpëtoi atentatit me 4 plumba në sy të fëmijëve, arrestohet Edison Begaj në Vlorë. U kap me armë pa leje

14/06/2021 20:49

Edison Begaj, i cili i shpëtoi atentatit me katër plumba para disa javësh, ka rënë në prangat e policisë gjatë mbrëmjes së sotme.

Forcat Renea dhe policia e Vlorës zbarkuan në Lungomare pasi ishin në kërkim të personave të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gjatë operacionit, u arrestua Edison Begaj, i cili po lëvizte me armë zjarri pa leje.

Ndërkohë, u shoqëruan për në komisariat edhe 10 persona të tjerë.

Mbrëmjen e 29 majit, Begaj i shpëtoi atentatit me 4 plumba në sy të dy fëmijëve nga një person i kamufluar si polic.

Në pamjet e siguruara nga Top Channel duket se Edisoni ka qenë duke hapur portën e banesës së tij dhe në makinë ka qenë me dy fëmijët.

Ai ka dalë nga makina dhe kur është kthyer,  një person ende i paidentifikuar i maskuar dhe i kamufluar me rroba policie ka ardhur nga rruga kryesore duke iu drejtuar makinës.

Në një distancë shumë të afërt, ai e qëlloi me armë fillimisht në bark, Begaj filloi të sprapset dhe disa nga plumbat e kapën në pjesën e këmbëve. Ai u shtri përtokë, ndërsa fëmijët u frikësuan nga të shtënat. Më pas, Begaj u dërgua me urgjencë në spital për të marrë trajtim mjekësor.

Kush është Edison Begaj

Edison Begaj rezulton të jetë piketuar nga OFL në maj të 2020-ës për të treguar burimin e pasurisë së tij, pasi Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake”.

Më 20 shkurt të vitit 2008, policia e Vlorës vuri në pranga shtatë persona, mes tyre edhe Begajn, duke i dhënë fund veprimtarisë 10-vjeçare kriminale të një bande e cila trafikonte drejt Italisë drogë dhe armë.

Ndërhyrja e dhjetëra punonjësve policorë të Vlorës dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë çoi në bllokimin dhe sekuestrimin e 284 kilogramëve hashash të ndara në tetë pako të mëdha, në fshatin Ndërmenas të Fierit.

Droga u gjet në një furgon, në të cilin gjatë kontrollit u zbuluan 5 armë zjarri automatike, një pistoletë  dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh dhe granatash. Në atë kohë, policia tha se armët e sekuestruara ishin destinuar për grupet kriminale italiane.

FOTO GALERI
2/11

Top Channel