Dita e tretë e “Euro 2020”, u mbyll me një ndeshje spektakolare, atë mes Holandës dhe Ukrainës.
Në Johan Cruyff Arena, skuadra e portokallinjve mposhti atë të Andrij Shevchenkos, me rezultatin 3-2 duke marrë 3 pikët e para në këtë kompeticion Pjesa e parë mes këtyre dy skuadrave u mbyll me barazaimin 0-0, por ishte një sfidë me shumë ritëm sidomos nga ana e Holandës, që u shfaq superiore kundrejt skuadrës ukrainase, ku Depay ishte një kërcënim i vazhdueshëm për mbrojtjen e skuadrës së Andriy Shevchenkos për të cilën lojtari më i mirë rezultoi portieri Bushchan.
Pjesa e dytë nisi ashtu siç u mbyll e para me Holandën dominuese në lojë që më në fund e mori shpërblimin e merituar teksa shënoi golin e avantazhit me blerjen më të re të Paris Saint Germainit Wijnaldum që dërgoi në rrjetë një top të kthyer nga Bushchan. Nuk kaloi shumë dhe Johan Criuyff Arena shpërtheu sërish në festë teksa shënoi golin e dytë me Weghorst, një gol që gjeti edhe konfirmimin e sistemit VAR.
U duk se historitë e sfidës u mbyllën në favor të Holandës, por Ukraina shkurtoi diferencën në rezultat në 2-1 me anë të një goli spektakolar të Yarmolenkos si për të ndezur akoma më shumë ndeshjen në pjesën e mbetur të saj.
Nuk kaloi shumë dhe Ukraina ndëshkoi sërish Stekelenburg duke barazuar rezultatin në 2-2 me Yaremchuk duke shtangur tifozët holandezë. Kur u duk se kjo sfidë po shkonte drejt një barazimi, por Dumfries riktheu portokallinjtë në avantazh dhe festën e tifozëve teksa e çoi rezultatin në 3-2 që mbeti i tillë deri në fundin e 90-minutëshit, më i bukuri për momentin në këtë Euro 2020
Top Channel