Në ditën e dytë të samitit të G7-tës, presidenti amerikan Joe Biden, fokusin e ktheu drejt Kinës.
Shefi i shtëpisë së bardhë i bëri thirrje vendeve perëndimore të bëhen bashkë kundër influencës në rritje të Pekinit, në mënyrë që të rivalizojnë sidomos shpenzimet gjigante të tij në infrastrukturë në vendet në zhvillim. Amerikanët e shohin takimin e së shtunës si mundësinë për të hapur e sfiduar rritjen e ndikimit kinez nëpër botë.
Sipas tyre, nisma e Pekinit “Një rrip, një rrugë” , e cila ka bërë që të derdhen miliarda dollarë në vendet në zhvillim, duhet të ketë një kundërpërgjigje nga ana e demokracive perëndimore. Zyrtarët e lartë të administratës së SHBA-së, duan të tregojnë se vlerat e perëndimit mund të mbizotërojnë, thotë BBC.
Ata argumentojnë se investimet kineze kanë ardhur me një çmim të lartë, se puna e detyruar e minoriteti ujgur në Xinjiang është moralisht tronditëse dhe ekonomikisht, e papranueshme në raport me konkurencën e ndershme. në muajin prill, BE-ja u shpreh haptazi e shqetësuar nga investimet kineze në disa pjesë të Ballkanit Perëndimor duke cituar implikimet politike, sociale dhe ekonomike, por edhe vendet e rajonit janë të lira që të zgjedhin partnerët e tyre.
Ky mesazh u përcoll në Bruksel pas pyetjeve lidhur me lidhur me problemet që ka hasur Mali i Zi për shkak të një kredie të madhe që ka marr nga Kina për ndërtimin e një autostrade. Shumë kredi nga Kina si dhe projekte të tjera në vendet e rajonit janë parë nga BE-ja si përpjekje e Pekinit për të përhapur ndikimin e tij ekonomik dhe politik.
Top Channel