Pas një pasditeje të turbulluar dhe tronditëse për botën e futbollit për shkak të gjendjes së Christian Eriksen, dita e dytë e Evropianit u mbyll me sfidën mes Belgjikës dhe Rusisë.

Në Krestovsky Stadium të Shën Pjetërburgut, skuadra belge e Roberto martinez fitoi ndaj të zotërve të shtëpisë, Rusisë me rezultatin e pastër 3-0
Belgjika e dominoi pjesën e parë të cilën e mbylli me avantazhin 2-0. Romelu Lukaku ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e dhjetë pasi përfitoi edhe nga një gabim në largimin e topit të mbrojtësit rus Semenov.

Një gol të cilin sulmuesi ia dedikoi shokut të tij të skuadrës te Interi, Christian Eriksen që në sfidën e pasdites ndaj Fnlandës humbi ndjenjat në fushën e lojës duke u dërguar më pas në spital Në minutën e 34 ishte Meunier që ndëshkoi Rusinë duke shënuar golin e dytë për skuadrën belge pas një krosimi të Hazard që nuk u administrua mirë nga Shunin dhe skuadrat shkuan në pushimin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë, Belgjika më shumë mendoi për administrimin e rezultatit duke parë se skuadra ruse ishte e pafuqishme për të reaguar e megjithatë në fundin e ndeshjes arriti të gjejë edhe një gol tjetër, sërish me Romelu Lukakun duke fiksuar rezultatin 3-0 për belgjikën që e sheh veten në krye të Grupit B.

Top Channel