Sheshi ‘Skënderbej’ arenë e futbollit/ Bashkia e Tiranës krijon fan zonë për 30 ditët e kampionatit

11/06/2021 15:35

Tifozët e kampionatit europian do të mund të ndjekin atë në ‘Fan Zone’ që bashkia e Tiranës ka mundësuar posaçërisht për ta, në sheshin ‘Skëndërbej’.

Nëpërmjet një ekrani të madh qytetarë të Tiranës dhe jo vetëm do të mund të ndjekin 30 ditët e Europianit në një atmosferë tërheqëse.

“Është një ditë e bukur për Tiranën kur janë hapur të gjitha aktivitetet. Është shtuar orari dhe do të vazhdojë të shtohet edhe po i rikthehemi më në fund normalitetit. Tirana është hapur, por është hapur edhe me aktivitetet tradicionale. Sa herë që bëhej një ndeshje e madhe futbolli, sa herë që bëhej panairi i Vitit të Ri, sa herë që kishte aktivitete që zinin sheshet dhe hapësirat tona publike, ishin kohë të bukura për Tiranën. Këto kohë të bukura janë rikthyer. Ndaj edhe do të fillojmë traditën e eventeve masive në Tiranë, sigurisht duke respektuar higjienën dhe duke respektuar distancën midis pikave të shërbimit”, tha Veliaj.

Kampionati europian nis në 11 qershor dhe zgjat deri në 11 korrik.

“Jo vetëm do të shikojmë ndeshjet , ku secili do bëjë tifozeri për ekipin e vet të preferuar, ku do të kemi dhe shumë nga të huajt që jetojnë në Tiranë që do të na bashkohen, por mbi të gjitha për t’u bashkuar në shesh si një familje e madhe pas dy viteve shumë të vështira me tërmetet dhe pandeminë. Më në fund ngrihemi më të fortë seç ishim kur u rrëzuam për një Tiranë që e do jetën, për një Tiranë që e do të bukurën, për një Tiranë që e do sportin dhe për një Tiranë që e shijon komunitetin. Kështu që ju presim të gjithëve këtë muaj në sheshin “Skënderbej” dhe si një mënyrë për të kaluar mërzinë e muajve të vështirë dhe për t’iu rikthyer normalitetit më të fortë dhe më të bashkuar se kurrë”, u shpreh Veliaj.

Fan Zone do të shërbejë si një hapësirë për tu çliruar nga ankthi dhe presioni që shkaktoi izolimi për shkak të pandemisë së Covid. Në 1 korrik ora policore nis në orën 2 deri në orën 6 të mëngjesit.

Top Channel