Komisioni Europian nisi një procedurë kundër Gjermanisë: “për shkak të shkeljes së parimeve bazë të së drejtës së BE”.
Një zëdhënës tha se këtu bëhet fjalë edhe për “respektimin e kompetencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, shpjegon DË. Sipas medias së njohur gjermane, Komisioni Europian mendon se Berlin ii ka shkelur marrëveshjet e BE me vendimin e Gjykatës Kushtetuese Gjermane të vitit 2020, për blerje obligacionesh nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Gjykata Kushtetuese Gjermane vuri në dyshim që Banka Qendrore Evropiane i ka mbajtur parasysh “proporcionalisht” pasojat anësore për shtetet e tjera të BE, kur ka blerë në masë të gjerë, në kuadër të funksionit si ruajtëse e stabilitetit të Euros, obligacione të shteteve në krizë të Eurozonës dhe i kërkoi asaj argumenta.
Më tej e shpalli të pavlefshëm për Gjermaninë vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë se kishte qenë e ligjshme blerja e obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane. Me vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese Gjermane u dha atëherë pjesërisht të drejtë paditësve që panë shkelje të të drejtave të tyre kushtetuese nga BE: pasi blerja e obligacioneve nga BQE ndikon negativisht te taksapaguesit gjermanë si në “rritjen e borxhit”, ashtu edhe në pakësimin e “kursimeve personale”.
Presidentja e KE, gjermania Ursula von der Leyen, deklaroi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane se mund të hapej një procedurë për shkeljen e marrëveshjeve evropiane nga Gjermania. Aq më tepër kur cënimi i autoritetit të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED) nga një Gjykatë Kushtetuese nacionale, si e Gjermanisë, mund të shërbejë si një rast frymëzues për shtete që ndihen “të kufizuara” nga e drejta evropiane, si p.sh. Polonia dhe Hungaria.
Top Channel