Jehona e urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, u përhap me shpejtësi në mediat vendase.
Vendimi që tregon se kreu i shtetit amerikan është personalisht i angazhuar për këtë çështje, përfshiu për herë të parë dhe vendin tonë, i vetmi që përmendet me emër. “Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve, duke përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë.
Urdhri ekzekutiv është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor të cilët shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Aty theksohet hapur se veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive të ndryshme dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, pengojnë përparimin drejt qeverisjes demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike.
Presidenti Biden shprehet se “është e nevojshme të bllokohen pronat dhe interesat mbi pronat e çdo personi për të cilin Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit, ka arritur në përfundimin se minon proceset ose institucionet demokratike, apo marrëveshjet ose kornizë rajonale për sigurinë, paqen, bashkëpunimin, njohjen reciproke, ose mekanizmat e llogaridhënies, janë të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut, apo të përfshirë drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion”.
Fill pas këtij urdhri reagoi sekretari amerikan i shtetit Anthnony Blinken, i cili e bëri të qartë se “Shtetet e Bashkuara”, thekson zoti Blinken, “janë të angazhuara për të nxitur llogaridhënien si dhe për të luftuar pandëshkueshmërinë ndaj atyre që janë përfshirë në raste madhore korrupsioni në Ballkanin Perëndimor dhe kudo në botë”. SHBA shpall pra luftën kundër korrupsionit si prioritet të sigurisë së saj kombëtare. Urdhri i Bidenit dhe reagimi pasues i Blinkenit erdhën vetëm pak pasi kryediplomati amerikan u përball me pyetjet e drejtpërdrejta të kongresmeni republikan Lee Zeldin lidhur me vendimin e tij për të shpallur ‘non grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha. Arsyetimi i dhënë nga Blinken për këtë lëvizje ndaj Berishës ishte:
Përfshirja në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, përfshirë përdorimin e pushtetit për përfitime personale dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij në kurriz të besimit të publikut shqiptar.
Top Channel