Incidentet antisemitike në Republikën Çeke kanë vazhduar të rriten vitin e kaluar, në kohën e pandemisë së koronavirusit, ka thënë Federata e Komuniteteve Hebreje, duke përmendur urrejtjen kundër hebrenjve, të shprehur nëpër platformat online.
Në raportin vjetor të kësaj Federate, është thënë se janë regjistruar 874 incidente antisemitike më 2020, 180 më shumë sesa vitin e kaluar.
Megjithatë, në raport është thënë se Republika Çeke vazhdon të jetë vend i sigurt për hebrenjtë dhe se antisemitizmi është ende në nivele të ulëta, në krahasim me shtetet tjera evropiane.
Sipas raportit, një sulm fizik është regjistruar më 2020, një tjetër sulm është raportuar në një pronë hebreje dhe në gjashtë incidente tjera ka pasur kërcënime antisemitike, ngacmime dhe ofendime.
Teksa hapësira online është bërë më aktuale gjatë pandemisë së koronavirusit, shumica e incidenteve – 98 për qind – kanë ndodhur në internet.
Aty janë përfshirë teoritë konspirative të shpërndara nga faqe dezinformuese, individë dhe grupe antisemitike, që fajësojnë hebrenjtë për pandeminë dhe pretendojnë se vaksinat shërbejnë për interesa financiare.
Ky komunitet ka paralajmëruar se antisemitzmi në internet nuk duhet të nënvlerësohet.
“Analiza e sulmeve të dhunshme antisemitike dhe profilet e kryesve, konfirmojnë se aktet e dhunshme gjithmonë paraprihen nga radikalizmi dhe shprehja e urrejtjes në internet, sidomos në rrjete sociale”, është thënë mes tjerash në raport.
Top Channel