Zbulohet se çfarë do të diskutojë Rama të shtunën me Grupin Parlamentar, fokusi informim për investimin në Zvërnec dhe Sazan
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të rregullores së re nga Byroja e Kuvendit, i cili nuk lejon gazetarët të ndjekin aktivitetet e kryesisë së Kuvendit nga afër.
Në një postim në facebook, Meta shkruan se ky vendim është i papranueshëm dhe anti-demokratik, ndërsa shton se ky akt kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.
“I dënueshëm, i papranueshëm dhe antidemokratik, vendimi i Kuvendit njëpartiak për ndalimin e raportimit të pavarur të gazetarëve dhe zëvendësimin me transmetime zyrtare të kontrolluara.
Ky akt, që vjen në të njëjtën kohë me nxitimin e mazhorancës për uzurpimin në mënyrë të njëanshme dhe vendosjen nën kontroll të plotë të Autoritetit të Mediave Audioviziv, kufizon lirinë dhe pavarësinë e medias, instalon një regjim censure, shkel të drejtat e njeriut dhe dëshmon sërish armiqësinë e këtij Kuvendi monist me lirinë e medias dhe demokracinë në Shqipëri.
Është pikërisht Kuvendi aktual, që në historinë e parlamentarizmit pluralist ka marrë vendimet më skandaloze për shtypjen e fjalës së lirë, përfshi miratimin dhe mostërheqjen prej gati një viti të paketës antikushtetuese “Antishpifje”, në refuzim të hapur të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
Duke mbështetur shqetësimin e drejtë të komunitetit të gazetarëve të pavarur shqiptarë dhe të kolegëve të tyre të huaj, mbi regresin e Shqipërisë në raport me lirinë e medias, i bëj thirrje Kuvendit monist dhe mazhorancës të tërhiqet menjëherë nga këto praktika të ngjashme me regjimin e Lukashenkos, që po dëmtojnë seriozisht integrimin europian të vendit”, shkruan Meta.
Vendimi i miratuar pak ditë më parë edhe nga deputetët që nuk do të jenë më në legjislaturën e ardhshme, parashikon që mediet do e ndjekin aktivitetin e Kuvendit në një zyrë me kompjuterë që transmetohen në kohë reale aktivitetet, por që regjia bëhet nga Kuvendi.
Top Channel