Parlamenti Evropian pas 15 muajve iu kthehet punimeve në Strasburg

08/06/2021 03:55

Parlamenti Evropian hapi sesionin e tij të parë plenar në Strasburg sot që nga fillimi i pandemisë COVID-19, më shumë se 15 muaj më vonë, megjithëse me më pak eurodeputetë.

Presidenti i PE-së, David Sassoli tha se kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Parlamentin Evropian, pasi që asnjë seancë e Parlamentit Evropian nuk është mbajtur në Strasburg që nga shkurti i vitit 2020, për shkak të pandemisë.

“Simboli i unitetit evropian, paqes dhe diversitetit, Strasburgu, është përsëri një simbol i rinovimit sot. Ky kthim është një shenjë besimi dhe shprese për të gjithë,” tha Sassoli në seancën, e cila u ndoq gjithashtu nga kryetari i bashkisë së Strasburgut, Jean Barsegian.

Kthimi është në formën e një seance hibride, pasi 705 eurodeputetë mund të zgjedhin të vijnë në Strasburg ose të votojnë në distancë nga vendi i tyre, i cili u zgjodh nga një pjesë e madhe e tyre. Megjithëse seancat hibride janë mbajtur për disa muaj nga Brukseli, autoritetet franceze kanë insistuar me forcë që seancat të kthehen në Strasburg.

“Sot është kthimi në Strasburg për Parlamentin Evropian dhe kjo është një ndjenjë e mirë,” shkroi në Twitter, Clement Bonn, sekretari i Shtetit francez për Çështje Evropiane. Sidoqoftë, në praktikë, edhe para COVID-19, eurodeputetët erdhën aty për tre ditë e gjysmë në muaj për seanca plenare. Pjesën tjetër të kohës, parlamentarët punuan në Bruksel, ku ndodhen institucionet e tjera evropiane. Këto zhvendosje mujore midis Brukselit dhe Strasburgut janë debatuar për vite me radhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA