Gruaja afrikano-jugore pretendon lindjen rekord të 10-njakëve (fotot)

08/06/2021 15:45

Një grua nga Afrika e Jugut pretendon se ka lindur njëherësh dhjetë fëmijë, në atë që do të ishte lindja më e madhe e shumëfishtë në botë e konfirmuar nga doktorët.

37-vjeçarja Gosiame Thamara Sithole, më parë nënë e dy binjakëve, ka lindur shtatë djem e tre vajza me prerje Çezarjane në spitalin e Pretoria të hënën, pretendon bashkëshorti i saj.

Tebogo Tsotetsi – aktualisht i papunë – i tha gazetarëve se dhjetënjakët lindën të hënën vonë dhe se ai e nëna e tyre janë “të lumtur e të prekur”.

Më herët gruaja Sithole kishte thënë se shtatzania ishte ‘natyrale’, por lindje të tilla ekstreme janë shpeshherë rezultat i trajtimeve të fertilizimit artificial, në të cilat disa embrione të fertilizuara futen në mitër për të shtuar shanset e shtatzanisë.

Lajmi vjen një muaj pasi gruaja nga Mali, Halima Cisse – lindi nëntë fëmijë njëherësh në një spital në Marok, në një tjetër rast rekord që besohet si rezultat i fertilizimit artificial.

Mediat perëndimore deri tani nuk kanë arritur të verifikojnë zyrtarisht lindjen e dhjetë-njakëve pasi emri i spitalit ku ata kanë lindur nuk është bërë publik.

Tsotetsi ishte i pari që dha lajmin për rrjetin vendas Pretoria News, i cili u pasua nga rrjete të vendeve të tjera.

Duke folur për mediat Tsotetsi tha: “Janë shtatë djem dhe tre vajza. Gruaja ime lindi pas shtatë muaj e shtatë ditë shtatzanie. Jam i emocionuar, nuk mund të flas shumë”.

Edhe gjendja shëndetësore e fëmijëve nuk është bërë e ditur.

Fëmijët në lindje të tilla të shumëfishta janë gjithmonë nën peshë dhe të paushqyer, teksa trupi i nënës nuk arrin të prodhojë ushqyes për të gjithë të vegjëlit.

FOTO GALERI
1/4
Një grua nga Afrika e Jugut pretendon se ka lindur njëherësh dhjetë fëmijë, në atë që do të ishte lindja më e madhe e shumëfishtë në botë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA