ANOM/ 800 të arrestuar në operacionin global, bandat u joshën të përdorin aplikacionin ‘e sigurtë’, të monitoruar nga FBI (fotot)

08/06/2021 17:56

Qindra kriminelë të dyshuar janë arrestuar në vende të ndryshme të botës gjatë operacionit të njohur si ‘Mburoja Trojane’, në të cilin bandat josheshin të përdornin një aplikacion “të sigurtë” të komunikimeve të inkriptuara, por në fakt të menaxhuara nga FBI amerikane, njoftonte sot Europol.

FBI në bashkëpunim me policinë e Australisë ishin duke operuar fshehtësisht aplikacionin e komunikimeve të inkriptuara ANOM, i cili ishte bërë i preferuar nga bandat kriminale prej “fshehtësisë” së komunikimeve që ofronte.

Rrjedhimisht operacioni i fshehtë u kthye në një përpjekje të përbashkët anti-kriminale në 16 vende të botës, me goditje të rënda kundër krimit të organizuar.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende shumë detaje të identitetit apo aktivitetit kriminal të të arrestuarve por thanë se janë sekuestruar 12,000 celularë nga ato që besohen se janë 300 organizata kriminale, përfshi edhe mafian italiane, në rreth 100 shtete.

Operacionet sollën arrestimin e më shumë se 800 të dyshuarve, kapjen e 250 armëve të zjarrit dhe 55 makina luksoze. U konfiskuan gjithashtu disa ton droga si kokainë, kanabis e MDMA, si dhe një vlerë prej $48 milionë në valuta të ndryshme dhe kriptovalulta.

Zv. drejtori i Europol, Jean-Philippe Lecouffe tha se operacioni solli rezultate “globale të jashtëzakonshme”.

Deri tani 155 të dyshuar u arrestuan në Suedi, tha shefja e policisë vendore Linda Staaf, e cila shtoi se shumcia ishin të përfshirë me trafikun e drogave.

Shefja e policisë holandeze Jannine van den Berg, tha se rezultate të konsiderueshme ishin arritur edhe aty, pasi aplikacioni ANOM kishte fituar “reputacion të mirë mes kriminelëve,” dhe njihej si “totalisht i besueshëm.”

“Por asgjë nuk ishte larg të vërtetës,” tha ajo, duke përshkruar sesi kriminelët komunikonin në 45 gjuhë të ndryshme për grabitje të armatosura, vrasje, grabitje e trafik drogash, armësh e eksplozivësh.

Van den Berg tha se policia holandeze kishte arrestuar 49 të dyshuar dhe bastisur 25 laboratorë e magazina drogash.

Në shtetin gjerman Hesse u kontrolluan 150 vendndodhje e u arrestuan 70 njerëz.

Në Australi policia arrestoi 224 të dyshuar dhe Zelanda e Re kapi 35 trafikantë të dyshuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA