T’i japësh jetë një godine gri është kontribut për të gjithë komunitetin, i cili ngjan më i gjallë me ngjyrat.

Kjo po ndodh në disa vende në Kosovë, kryesisht në Prishtinë dhe Drenas, ku kabinat e energjisë elektrike apo godinat e tjera janë kthyer në atraksion për qytetarët vendas dhe vizitorët.

Tashmë janë kthyer në një objekt modern artistik nga arti grafik i artistëve vendas.

Kjo u ka dhënë gjallëri lagjeve ku ato janë pikturuar dhe njëkohësisht të mundësohet promovimi i artit dhe artistëve të rinj.

Drejtoresha e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, Flutra Avdiu ka thënë për mediat kosovare se këto projekte po kanë ndikim pozitiv në komunitet.

“Përmes këtij bashkëpunimi me KEDS, ne po bëjmë transformimin e trafove në vepra urbane artistike. Kësisoj, po i japim ngjyra qytetit të Drenasit. Padyshim që e gjithë kjo reflekton në pozitivitet për secilin që kalon andej pari. Ne synojmë që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe me tutje, në mënyrë që artistëve tanë t’u japim hapësirën e nevojshme për të shfaqur veprat e tyre artistike në komunitet”, tha Avdiu.

Ndërkaq, drejtoresha për Komunikime në KEDS, Naxhije Pajaziti-Arifaj thotë se KEDS është i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të jetë në shërbim edhe të komunitetit përmes aktiviteteve në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës.

“KEDS që na fillimi i operimit ka qenë i përkushtuar që krahas ofrimit të shërbimeve me energji elektrike, të përkrah komunitetin përmes aktiviteteve të ndryshme në kuadër të Përgjegjësisë Sociale të Korporatës. Ndër to është edhe projekti Art n’Trafo, të cilin e kemi nisur në Prishtinë, po e vazhdojmë në Drenas dhe synojmë ta realizojmë në tërë Kosovën. Trafostacionet po i shndërrojmë ne objekte moderne, urbane e artistike. Artistët tanë po promovohen ndërkaq lagjeve po u kthehet gjallëria”, theksoi Pajaziti-Arifaj.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel