Tottenham në kërkim të një trajneri, Ten Haag sërish në “pole”

06/06/2021 18:29

Pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe drejtimit përkohësisht nga Ryan Mason, Tottenham vijon të mbetet në kërkim të një trajneri, të cilit t’i besojë drejtimin e skuadrës për sezonin e ri, ku natyrisht do të kërkohet rikthimi në nivele të larta.

Presidenti i londinezëve, Daniel Levy negocioi për disa ditë në mënyrë intensive me ish trajnerin e Interit, Antonio Conten, por dështoi ta bindë të rikthehet në Londër, aty ku disa sezone më parë fitoi edhe titullin kampion me skuadrën e Chelseat.

Paga e lartë e pretenduar nga Conte dhe mbi të gjitha kërkesa për një merkato jashtë logjikës për kushtet e pandemisë, bënë që negociatat mes palëve të ndërpriteshin dhe tani drejtuesit e Tottenham të mendojnë për një tjetër trajner.

Emri që është rikthyer në skenë është ai i holandezit Eric Ten Haag, i cili drejton holandezët e Ajaxit dhe vetëm gjatë pranverës së këtij viti ka rinovuar kontratën me skuadrën nga Amsterdami.

Levy ka rivendosur kontaktet me menaxherët e holandezit dhe po negociojnë si për pagën, ashtu edhe projektin e klubit, megjithatë tani londinezët duhet të bëjnë llogaritë edhe me një dëmshpërblim që do të pretendojë Ajaxi për të lënë të lirë Ten Haag.

Mbetet ende e gjallë edhe pista për rikthimin e Maurizio Pochettinos, megjithatë shanset që kjo të ndodhë janë minimale dhe kryesisht në dorë të klubit të PSG-së me të cilin trajneri argjentinas është nën kontratë.

Vetëm nëse francezët vendosin të shkarkojnë Pochettinon, atëherë Levy është gati ta rikthejë në Londër, pasi në kushte të tjera është e pamundur ta shkëputë nga klubi francez ku u transferua në muajin janar./SuperSport/

Top Channel