Donald Trump nuk e fshihte dje tërbimin e tij për vendimin e Facebook që përjashtoi nga platforma për dy vjet, duke u betuar se nuk do të lejonte asnjë favor për rrjetin gjigand social.
Të premten Facebook tha se “duke parë seriozitetin e rrethanave që sollën pezulllimin e Trump, ne besojmë se veprimet e tij përbëjnë një shkelje serioze të rregullave dhe meritojnë dënimin më të madh të mundshëm sipas protokolleve tona”.
Trump reagoi me një deklaratë të zemëruar duke akuzuar rrjetin social për censurë dhe për ofendim ndaj 75 milionë mbështetësve që kishin votuar për të në zgjedhjet e nëntorit, raporton rrjeti Forbes.
“Vendimi i Facebook është një ofendim për numrin rekord të 75 milionë njerëzve dhe shumë të tjerëve që votuan për ne në zgjedhjet e manipuluara presidenciale të vitit 2020,” shkruante në një deklaratë ish-presidenti. “Ata nuk duhet të lejohen t’ia hedhin paq me censurë të tillë dhe rrjedhimisht ne do të fitojmë. Vendi ynë nuk e duron dot më këtë”.
Në një tjetër deklaratë Trump sulmonte drejtpërdrejt drejtorin e Facebook, Mark Zuckerberg duke thënë, “Herës tjetër kur unë të jem në Shtëpinë e Bardhë nuk do të ketë më darka, me kërkesën e tij, me Mark Zuckerberg dhe gruan e tij.”
Përveç pezullimit për dy vjet nga Facebook e Instagram, Trump është përjashtuar përgjithmonë nga rrjeti Twitter.
Rrjetet sociale të Trump u mbyllën pas trazirave të bastisjes së Kongresit amerikan nga mbështetësit e tij më 6 janar, me pretendimet e vjedhjes së votës së nëntorit.
Top Channel